Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, duke i kërkuar që të ketë harmonizim të veprimeve institucionale, për situatën e krijuar në veri.
Në letrën e dërguar të hënën, Krasniqi tha se koordinimi mes pushtetit dhe opozitës është i rëndësishëm, ndërsa siç u shpreh ai, i rëndësishëm është edhe konsultimi me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në letrën e kreut të PDK-së.
Largimi i zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, sipas Krasniqit është shqetësues.
“Këto veprime cenojnë sovranitetin juridik të shtetit tonë si dhe mbarëvajtjen e rendit publik. Për më shumë, këto zhvillime rrezikojnë t’i kthejnë në pikën zero të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës, në shtrirjen e sovranitetit dhe integrimin institucional të komunitetit serb në komunat e pjesës veriore të vendit”.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka shkruar një letër kryeministrit Albin Kurtit katër ditë më parë, e në të cilën i ka kërkuar këtij të fundit shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.
Lexo më shumë:
Zyrtarët serbë në veri të Kosovës si dje edhe sot kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe dhe kthimin e tyre në RKS.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë këto ditë u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, dobësojnë shërbimet për qytetarët.
Sipas Kurtit, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti është shprehur se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.
E për veprimet e fundit ne veri, krerët e partive opozitare si nga LDK, PDK e AAK janë shprehur të shqetësuar, ndërsa në një formë kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe jo Serbinë, duke përdorë edhe këtë radhë sikur në Qeverinë Kurti 1, kartën e bashkëpunimit me Amerikën.
Madje pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e Listës Serbe një pjesë e opozitës konsideron se do të krijohet vakum kushtetues dhe sipas tyre në këtë situatë zgjedhjet e përgjithshme do të mund të ishin zgjidhja.
Lexo edhe:


