Protesta në veri – bëhet thirrje për formimin e Asociacionit, zyrtarët serb nuk harrojnë të thurin lavde për kriminelin Radoiçiq
Në veri të Mitrovicës është mbajtur protesta e serbëve kundër vendimit të Qeverisë për targat. Të pranishmëve në këtë protestë iu drejtua kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari i saj, Igor Simiq.
Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka bërë thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Dje kemi dhënë dorëheqje, sot po ua kthejmë mandatin, pasi ju na keni zgjedhur e jo Prishtina”, ka thënë Rakiq.
Kurse Igor Simiq ka thënë se po luftojnë për paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Luftojmë për paqe, për stabilitet. Edhe për serbët edhe për shqiptarët edhe për boshnjakët edhe goranët e të gjithë të tjerët”, ka thënë ai para qytetarëve serbë të Kosovës”, tha Simiq.
Ai përmendi edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti i cili tha se nuk ka komuna serbe në Kosovë, por ka komuna me shumicë serbe.
“Para disa ditësh, Kurti tha se s’ka komuna serbe në Kosovë, tash s’ka institucione të Prishtinës në veri të Kosovës. Në fund dua të theksoj se barra e kësaj beteje për popullin serb i takon personit që ndoshta ka barrën më të madhe për disa vite, vetëm se do dhe e mbron popullin serb dhe gjithashtu e do shtetin e vet – Serbinë, dhe për këtë ju ftoj për një duartrokitje përkrahëse për patriotin më të madh, i cili nuk iu nënshtrua presioneve, vëllain tonë Milan Radoiciqin”, tha Simiq.
Në protestë foli edhe qjyqtarja Liliana Stevanoviq. Ajo ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët serbë janë larguar nga gjyqësori i Kosovës.
“Ne kemi vendosur unanimisht të largohemi nga sistemi gjyqësor dhe t’i bashkohemi të gjithëve në këtë luftë. Vendimi ynë është i qartë. Mendoj se jemi ambasadorët më të mirë të gjyqësisë serbe”, ka thënë Stevanoviq.
E ish-drejtori i Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriq, që u suspendua pasi refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat, ka thënë se nuk kanë tokë tjetër dhe se do “në tokën e tij të mbjellë lule që do të përhapin erën e paqes”.
Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ka falënderuar gjithë të tubuarit dhe ka thënë se po dërgohet mesazh “paqeje”.
Millan Radoiçiq, kërkohet në Kosovë për frikësim të dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si “Brezovica”. Ky rast ka të bëjë me lëshimin e lejeve të paligjshme në qendrën turistike Brezovica në Komunën e Shtërpcës.
Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara (ShBA) nën dyshimet se, së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.



