Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Sh.M., pasi dyshohet se kreu veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar”.
Sipas njoftimit, i pandehuri ka mashtruar një numër të të dëmtuarve në qytetin e Tuzllës të Bosnje dhe Hercegovinës dhe në Podgoricë të Malit të Zi, ku përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe prezantim i rrejshëm si person zyrtar, kinse i autorizuar nga zyrtari i AKO-së, ka shitur dy prona të NSH “Jatex” të Gjakovës në qytet e lartcekura, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje, bëhet e ditur se pronat e shitura nga Sh.M., gjenden nën menaxhimin dhe administrimin e AKP-së.


