Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka thënë se Prishtina ka nevojë të ketë testime për t’i identifikuar problemet e komunikacionit dhe t’i jepet një zgjidhje për to.
Problemin më të madh të testimit të tretë të unazës njëkahore në kryeqytet, që ka filluar sot dhe do të zgjasë deri të dielën, Dedaj e sheh te infrastruktura e transportit publik.
“Nuk e di qytetarët a ankohen çdo ditë që kanë tollovi. Prishtina nuk mund ta gjejë zgjidhjen për ta lehtësuar komunikacionin, pa studiuar atë. Por është dashur të ketë një shirit të dedikuar vetëm për transportin publik, në mënyrë që qytetarët të kenë arsye të shfrytëzojnë transportin publik sa më shumë”, ka thënë ai në KTV.
Sipas ekspertit të komunikacionit, qytetarët sot nuk kanë ditur të orientohen pasi kanë lënë shirita të pashfrytëzueshëm, siç përmend ai rrugën që njihet si “Te Menza” që shkon drejt rrugës “Agim Ramadani”.
“Në këtë rrugë dy shirita janë lënë të pashfrytëzueshëm, pasi qytetarët nuk kanë ditur të orientohen”, vijoi Dedaj.
Dedaj thotë se krijimi i një shiriti në rrugë vetëm për transportin publik, krijimi i parkingjeve në hyrje të Prishtinës dhe largimi i institucioneve nga qendra, janë kyçe për lehtësimin e komunikacionit në kryeqytet.
Megjithatë, për to, Dedaj shprehet se duhet një studim goxha i madh.
“Sot të gjithë ata inxhinierë që janë në Komunë dhe që janë marrë me komunikacionin, i kanë identifikuar cilat janë problemet”, shtoi ai.


