Qeveria e Kosovës po vazhdon mbledhjen, në të cilën në rend dite janë 19 pika. Përveç disa vendimeve tjera që mori deri më tani, Qeveria e ka shqyrtuar kërkesën e ShSKUK-së dhe i ka ndarë edhe 4 milionë e 200 mijë euro për blerjen e barnave esenciale, si mjete shtesë për tremujorin e fundit të vitit 2022.
Kjo ndarje e mjeteve erdhi pas kërkesës së Shërbimit Spitalor dhe Klinik, Universitar të Kosovës.
“Bëhet fjalë për kërkesën e SHSKUK-së për ndarjen e mjeteve shtesë, për sigurimin e barnave esenciale deri në fund të vitit. Bëhet fjalë për shumën mbi 4 milionë e 200 mijë euro. Mjetet e ndara do të merren nga nën-programi kontigjencat në Ministrinë e Financave”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Gjatë këtij takimi ekzekutivi do të shqyrtojë ndër të tjera propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022, projektligjin për Ekspertët Gjyqësor, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, projektligjin për Zhvillim Rajonal të Balancuar, propozim-vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e Njëqindedhjetë Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe propozim-vendimin për vazhdimin e mandatit të Hetuesit të Aksidenteve Hekurudhore në kuadër Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike.
Po ashtu, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore me qëllim të blerjes së barnave nga lista esenciale, si dhe për ndarjen e mjeteve buxhetore për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”.
Ndër pikat që do të shqyrtohen nga Qeveria janë edhe drafti i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa pronar, si dhe draftit të Planit të Veprimit 2022-2023 për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për parandalimin dhe luftimin ekonomisë Jo-formale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare 2019-2023./KosovaNews/