Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës arriti të marrë medaljen e argjendtë në njërën prej garave ushtarake më prestigjioze në botë ‘Cambrian Patrol 22’, që u zhvillua në Britani të Madhe.

Kështu bëri të ditur përmes një njoftimi Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, në të cilën thuhet se në këtë garë pjesëtarët e FSK-së treguan performancë të jashtëzakonshme gjatë stërvitjes 48 orëshe në Malet e Zeza të Uellsit, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve tjera ndërkombëtare.
“Performanca e FSK-së është vlerësuar lartë edhe nga këshilltari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel John Hunter, si demonstrim i qartë i përkushtimit dhe standardeve të larta që FSK ka përmbushur”, thuhet në njoftim.



