Janne Jõesaar-Ruusalu do të jetë ambasadore e re e Estonisë në Kosovë. Në këtë takim në zyrën presidenciale ku ambasadorja estoneze u prit nga presidentja Vjosa Osmani u diskutua për nevojën e përshpejtimit të perspektivës euroatlantike të Kosovës si garanci e vetme për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon e më gjerë.
E para e shëtit ka falënderuar ambasadoren Jõesaar-Ruusalu për mbështetjen e palëkundur të Estonisë për Republikën e Kosovës ndër vite, duke e vlerësuar partneritetin në mes të dy shteteve si strategjik.
Sipas zyrës së presidentes, Osmani ka theksuar potencialin e thellimit të bashkëpunimit me Estoninë në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.
“Në takim është diskutuar edhe për nevojën e përshpejtimit të perspektivës euroatlantike për Republikën e Kosovës. Presidentja ka theksuar se integrimi euroatlantik është garancia e vetme për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë’, thotë Presidenca e shtetit.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Estonisë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe përmbylljen urgjente të procesit të liberalizimit të vizave.
“Presidentja Osmani dhe ambasadorja Jõesaar-Ruusalu kanë folur edhe për zhvillimet gjeopolitike në kontinent, gjegjësisht, luftën në Ukrainë, si dhe kërcënimin e Rusisë dhe satelitëve të saj kundrejt paqes dhe sigurisë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e bashkërenduar politikisht me Estoninë me sanksione kundër Rusisë, ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media nga Presidenca pas takimit që patën Osmani me ambasadoren e re të Estonisë në Kosovë.


