Tri ditë më parë ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka folur për uzurpimin e pronave dhe objekteve të shtetit. Ai denoncoi ndërtimin e 25 vilave në Stankaj të Pejës, të cilat sipas tij janë ndërtuar kundërligjshëm në prona të Institutit Bujqësor të Kosovës, ndërsa paraqiti edhe keqpërdorimet me objektet në Prishtinë, raporton KosovaNews.
Vetë ministri Peci para një kohe ka kërkuar themelimin e një Komisioni që adreson vërejtjet e vazhdueshme gati një dekadëshe të Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të institucioneve dhe të gjeturat e tij janë skandaloze.
Në paraqitjen e të gjeturave, ministri Peci përmendi edhe një pronë në Ulpianë që është e Ministrisë së Bujqësisë, e që sipas tij është “uzurupuar dhe tjetërsuar nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura”.
Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me pretendimet e ngritura.
Kështu ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje”, tha Ulaj.
Për shkak të këtyre denoncimeve, ministri Faton Peci tanimë ndodhet nën mbrojtje të afërt të Policisë së Kosovës.
Më poshtë keni fotografi të pronave dhe objekteve të shtetit që janë uzurpuar dhe po keqpërdorën për vite me radhë.










