Objekte në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve të tjerë, ku në mesin e tyre janë edhe pronat e dy vëllezërve të ish- presidentit Hashim Thaçi, janë sekuestruar gjatë ditës së djeshme.
Ndërkaq Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është duke vazhduar aksioni edhe sot (e mërkurë) me sekuestrimin e objekteve të ndërtimit në “Brezovicë”, përkatësisht te Parku Kombëtar “Sharri”.
E për ndërtimet pa leje foli sot pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se mbi 75% e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje, gjë që ndikon në zhvillimin ekonomik dhe planifikimin hapësinor të vendit.
Ai tha se aprovimi i projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje nga Qeveria është i rëndësishëm sepse lidhet me zhvillimin, ndërsa u bëri thirrje gjithë qytetarëve që të aplikojnë për legalizim, sepse sipas tij, procedura është shumë e thjeshtë.
Ndërsa i pyetur për rastin e ndërtimeve në Brezovicë, ai ka thënë se ky aksion është i qëlluar dhe për mënyrën e dhënies së lejeve ndërtimore atje nuk ka pas kujdes, sidomos Komuna e Shtërpcës.
Ai theksoi se policia e prokuroria duhet ta bëjnë detyrën e tyre, ndërsa ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojmë me ta në këtë fushë.
“Aksioni në Brezovicë është i qëlluar dhe është duke e pasur efektin e vet, degradimi që ka ndodh në zonën e Brezovicës dhe përgjithësisht në Parkun Sharr janë të natyrave të ndryshme. Përpos ndërtimeve pa leje janë hidrocentralet e të cilat edhe prerja e pyjeve që ka qenë një proces i vazhdueshëm dhe ka degraduar në të gjitha pyjet tona, sidomos brenda parqeve. Edhe në parkun nacional Sharri dhe në parkun nacional të Bjeshkëve të Nemura”, tha Aliu.
Gjersa ka shtuar se dualizmi i kompetencave me komunat ka qenë shkaktari kryesor për këtë problem.


