Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart B. Munsch.
Gjatë takimit Kurti rikonfirmoi gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Duke shprehur mirënjohje për punën, rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, kryeministri Kurti ritheksoi se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është qëllim i përbashkët.
Ai e njoftoi me progresin ekonomik, demokratik, social e të sigurisë në Kosovë.
Në një njoftim për media thuhet se në këtë takim u theksua zotimi për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës./KosovaNews/



