Seanca e Kuvendit të Kosovës është shtyrë nga orët e paradites për të vazhduar në orën 13:00, por në mungesë të kourumit për të votuar për pikën e parë të rendit të ditës – për masat emergjente të energjisë, ajo nuk ka filluar ende dhe deputetet janë në pritje.
Kuvendi i Kosovës nuk i ka numrat ta votojë vazhdimin e masave emergjente të energjisë dhe për këtë shkak ende nuk kanë nisur punimet e senacës.
Në fakt, senaca është shtyrë pasi një pjesë e deputetëve të mazhorancës kanë qenë në Komision për votimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe për këtë arsye kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar deklarimin e grupeve parlamentare nëse do ta votojnë këtë pikë të rendit të ditës apo do të jetë i detyruar ta shtyjë seancën.
Pos deputetes Albena Reshitaj të AAK-së, të gjithë deputetët opozitarë lëshuan sallën e Kuvendit, duke mos krijuar kushte për vazhdim të seancës. Edhe në ulëset e deputetëve të pushtetit ka mungesa.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se roli i tij nuk është të bllokohen punimet, derisa shtoi se nëse është e mundshme, të vazhdohet të hënën me seancë.
Kundër mbajtjes së seancës u deklaruan shefat e grupeve parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Kjo nuk është në të mirë të demokracisë dhe ne mendojmë që është e paarsyeshme që të marrim pjesë”, deklaroi Arben Gashi i LDK-së.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, u shpreh se po sheh papërgjegjësi nga pushteti për mospasjen e numrave në Kuvend.
Deputetja Reshitaj u shpreh se do të votojë pro masave emergjente për energji, pasi siç u shpreh ajo, duhet qenë vigjilentë dhe të përkrahen masat për krizën.
“Na pret një krizë e thellë dhe është në interes të qytetarëve që Qeveria ta bëjë sa më të lehtë këtë situatë. Unë flas në emër të përfaqësuesve të mi në emër të qytetarëve dhe do jemi zë kritik për të parë nëse janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë”, deklaroi ajo.
Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës. Ekzekutivi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën gjatë dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të ulet.
Po ashtu, Qeveria së fundmi miratoi një vendim që i obligon institucionet publike, qendrore e lokale, si dhe të gjitha ndërmarrjet publike që të jenë “racionale në konsumim të energjisë” – me fokus të veçantë te ngrohja dhe ndriçimi.
Ndërkaq, më 20 shtator, Kosova ndaloi eksportin dhe ri-eksportin e produkteve të drurit që përdoren si lëndë djegëse.
Edhe Kosova është prekur nga kriza energjetike që ka mbërthyer Evropën. Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë./KosovaNews/


