Sot në Paris, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti së bashku me Ambasadorin Mehdi Halimi dhe këshilltarin e jashtëm Kushtrim Istrefi, takoi Drejtorin e Departamentit për OKB, Organizata Ndërkombëtare, të Drejtat e Njeriut dhe Frankofoni, në kuadër të Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Ambasadorin Fabien Penone.
U diskutua mbi strategjinë e Kosovës në dimensionin multilateral dhe hapësirat ku mund të ketë bashkëpunim mes të dyja vendeve, transmeton KosovaNews.
Po ashtu, diskutimi vazhdoi për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe rëndësinë që ka kjo organizatë për të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe secilit qytetar të vendit.
Palët u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin për arritjen e këtyre synimeve të përbashkëta.
Në fund, Ahmeti e falënderoi Penonen për mbështetjen e përhershme të Francës për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.


