Mësuesja në pension Seniha Gacaferri Vokshi u ka bërë një propozim të gjithë mësimdhënësve të Kosovës që tani janë në pension.
Përmes një postimi në Facebook të premten, ajo ka kërkuar nga ata që të mbajnë mësim pa pagesë në shkollat ku kanë punuar, nëse mësimi nuk fillon nga e hëna.
“U bëj ftesë të gjithë mësimdhënësve në pension, të marrin përsipër të mbajnë mësim pa pagesë në shkollat ku kanë punuar. Për ata që nuk më njohin, jam mësimdhënëse në pension. Unë e para do të shkoj në shkollë të hënën, nëse do të vazhdojë greva”, ka shkruar ajo në Facebook.

Pakënaqësitë me zgjatjen e grevës së organizuar nga SBAShK-ut vetëm sa po rriten. Deri sa një pjesë e shkollave pas votimeve të fshehta kanë vendosur të nisin procesin mësimor, në ato shkolla ku ende po mbahet greva, prindërit po organizojnë protesta.
Duke parë se greva po thyhet nga brenda dhe se shumica e mësimdhënësve po shprehen kundër grevës, drejtuesit e SBAShK-ut kanë nisur të pyesin shkollat nëse janë për të nisur ose jo mësimin më 3 tetor.
E tashmë kundër grevës dhe për mësim janë deklaruar edhe mësimdhënësit nga komuna e Podujevës dhe ajo e Prizrenit.
KosovaNews mëson se 80 për qind e shkollave nga komuna e Podujevës kanë votuar që të ndërpritet greva dhe të fillohet me procesin mësimor.
Po ashtu edhe shumica e mësimdhënësve nga shkollat në Prizren kanë votuar që mësimi të nis më 3 tetor.
Ndërkaq ka shkolla që tashmë kanë nisur mësimin, siç është “Hasan Prishtina”, në kryeqytet, ndërsa edhe disa shkolla në komuna tjera, si Gjakovë, Podujevë, Kaçanik e Deçan, kanë nisur mësimin.
E dje njëra nga shkolla që të vendosur që të ndërpritet greva dhe të fillohet me procesin mësimor është edhe shkolla “Ismail Qemaili, në Prishtinë.
KosovaNews mëson se nga votimi që është zhvilluar në këtë shkollë, 67 për qind kanë votuar që të fillojë mësimi të hënën, ndërsa vetëm 31 për qind kanë qenë për të vazhduar me grevë dhe pjesa tjetër nuk është deklaruar fare.
Edhe në SHFMU “Nexhmi Mustafa”, në Besi, shumica janë deklaruar që të ndërpritet greva dhe të fillohet me mësim.
Ndërsa Këshilli i Prindërve i Kosovës ka kërkuar edhe sot ndërprerjen e menjëhershme të grevës dhe nisjen e procesit mësimor, duke kërcënuar se në të kundërtën do të kërkojmë çregjistrim masiv të nxënësve.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tyre në Facebook, ky këshill ka kërcënuar se nëse deri të hënën me datën 3 tetor nuk nis mësimi, do të kërkojmë çregjistrim masiv nga shkollat.
Sipas tyre, pas kësaj sistemi arsimor në Kosovë do të kolapsojë.
“Shkurt e shqip. Nëse më 3 tetor nuk fillon mësimi në gjithë Kosovën, do të kërkojmë çregjistrim masiv nga shkollat dhe sistemi arsimor do të kolapsojë. Nuk do të ketë më nevojë as për shkolla, as për mësimdhënës e as për institucione arsimore”, thuhet në njoftim.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka thënë, më 28 shtator, se i është drejtuar anëtarësisë greviste me një shkresë, përmes të cilës u ka kërkuar të japin mendimin e tyre për idenë që të pezullohet greva në arsim.
Si pasojë e grevave që kanë nisur në sektorin e arsimit më 25 gusht, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur pa mësim.
Në fillim të këtij muaji, Qeveria e Kosovës ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj./KosovaNews/