Pakënaqësitë me zgjatjen e grevës së organizuar nga SBAShK-ut vetëm sa po rriten. Deri sa një pjesë e shkollave pas votimeve të fshehta kanë vendosur të nisin procesin mësimor, në ato shkolla ku ende po mbahet greva, prindërit po organizojnë protesta, raporton KosovaNews.
E sot Këshilli i Prindërve të shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Naim Frashëri” në Prishtinë, është mbledhur për t’i shprehur shqetësimet e tyre lidhur me prolongimin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Prindërit që dolën e protestuan thanë se ndihen të zhgënjyer për neglizhencën e një epilogu mes Qeverisë së Kosovës dhe SBAShK-ut, e që sipas tyre kjo ndikon negativisht te fëmijët.
“Ne ndjehemi tejet të zhgënjyer dhe të indinjuar për prolongimin e një epilogu ndërmjet Qeverisë dhe SBASHK që respektivisht ndikon negativisht në fëmijët tonë. Po bëhet pothuajse një muaj që fëmijët janë jashtë objekteve shkollore dhe në këtë vazhdë të mosmarrëveshjeve po neglizhohet mirëqenia e fëmijëve tonë, respektivisht e ardhmja e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Prindërve.
Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, përmes protestës dërguan mesazh tek të gjitha palët që të bashkëbisedojnë në mënyrë që të arrihet sa më shpejtë një zgjidhje por pa e cenuar të drejtën e shkollimit të fëmijëve.
“E drejta e fëmijëve për arsim është e drejtë e siguruar përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës çdo përpjekje për ta parë apo shfrytëzuar këtë protestë si përkrahje të ndonjërës palë është e gabuar dhe tendencioze”, thonë ata.
“Kërkesa jonë e vetme është-Të fillojë mësimi menjëherë!”, thuhet në kumtesë.



