Kuvendi nuk e ka miratuar të premten rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për grevën.
Rezoluta e prezantuar të enjten nga kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është hedhur në votim tek të premten, mirëpo me 39 vota kundër, 22 për dhe 6 abstenime, ajo nuk ka kaluar.
Rezoluta kërkonte që të zhvillohen negociatat e nevojshme me Këshillin e Grevistëve të BSPK-së apo personat të autorizuar, deri në zgjedhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.
“Kërkojmë nga Qeveria që në një afat prej 5 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, të përfshijë përfaqësues të autorizuar të BSPK-së, në grupin punues për hartimin e projektligjit të pagave, para miratimit të tij në Qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, tha Tahiri në seancën e të enjtes.