Në fillim të javës është raportuar nga mediumi danez Ekstra Bladet se marrëveshja për dhënien me qira të 300 qelive mes Kosovës dhe Danimarkës mes është pezulluar.
Kjo si shkak i vështirësive financiare për realizmin e kësaj marrëveshje.
Por, kjo demantohet nga Ministria daneze e Drejtësisë, sikurse edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, pati deklaruar se nuk është anuluar marrëveshja me Danimarkën për marrjen me qira të disa qelive në burgjet e Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim për klankosova Ministria së Drejtësisë së Danimarkës tha se kjo ishte veçse një keqkuptim.
“Danimarka nuk e ka ndërprerë, nuk e ka rikthyer apo pezulluar marrëveshjen e burgjeve ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës. Çdo raportim në media që sugjeron të kundërtën bazohet në një keqkuptim. Marrëveshja është miratuar me votat e shumicës së deputetëve në Parlamentin danez në fillim të këtij viti dhe bashkëpunimi me Kosovën për planifikimin dhe realizmin e projektit vazhdon” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë së Danimarkës.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, pati deklaruar se nuk është anuluar marrëveshja me Danimarkën për marrjen me qera të burgjeve në Kosovë.
Ajo është shprehur se delegacionet Kosovë-Danimarkë janë në koordinim të plotë, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Haxhiu ka thënë se një delegacion i Danimarkës do të vijë në Kosovë në tetor për të implementuar marrëveshjen.
Marrëveshja kishte vlerën e 210 milionë eurove që Danimarka do të duhej t’i paguante Kosovës për 10 vjetët e ardhshme.
Sipas marrëveshjes Danimarka, do t’i merrte me qira 300 qeli ku do të silleshin të burgosurit e dënuar me deportim.
Kjo ishte nënshkruar vitin e kaluar nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Nick Haekkerup, tani ish-ministër.
Në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Danimarkës thuhet se Qeveria e Kosovës do t’i ofroj Mbretërisë së Danimarkës, kapacitetet e burgut, gjegjësisht institucionit korrektues që gjendet në Gjilan për 300 të burgosur, për qëllimin e ekzekutimit të dënimeve daneze dhe do të bëjë rregullimet e nevojshme për çdo lehtësi për të siguruar që ai është në përputhje me ligjet dhe standardet daneze.
“Qeveria e Danimarkës synon të paguajë një tarifë vjetore për përdorimin e një burgu prej 15,000,000 euro në varësi të numrit të të burgosurve për të cilin objekti është bërë i përshtatshëm në përputhje me rregullat dhe rregulloret daneze, me një tarifë të reduktuar për 12 muajt e parë të vitit përdorimi i burgut si periudhë tranzicioni. Qeveria e Danimarkës synon gjithashtu të paguaj një tarifë fillestare prej 5,000,000 euro për të mbuluar periudhën e tranzicionit derisa burgu të jetë përfunduar dhe plotësuar me personel. Këto tarifa do të mbulojnë të gjitha kostot që lidhen me një marrëveshje të tillë”, thuhet në marrëveshjen mes dy shteteve.