Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e Kosovës po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, raporton KosovaNews.
Ai tha se kjo vërehet edhe në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend, ndërsa ka publikuar edhe një tabelë ku tregohet qarkullimi që kanë realizuar bizneset nga viti 2019 deri më sot.
Nga tabela shihet se qarkullimi i bizneseve sivjet nga muaji janar deri në muajin qershor ka arritur në mbi 8 miliardë euro.

Ministri Murati tha se për t’u arritur kjo kanë ndikuar edhe hapat që janë marrë në vazhdimësi nga qeverisja aktuale, me ndihma e mbështetje të ndryshme si për biznese ashtu edhe për popullatën.
Në këtë rast, Murati ka prezantuar edhe hapat e marrë deri më tani nga Qeveria e Kosovës dhe ata janë si më poshtë:
Si qeveri:
-Kemi zhvilluar fushatën e vaksinimit më efektiven në rajon, gjë që ka mundësuar heqjen më të shpejtë të kufizimeve dhe hapjen e tërësishme të ekonomisë
-Kemi subvencionuar çmimin e energjisë elektrike, gjë që mundëson bizneset tona të jenë më konkurrente dhe të rrisin eksportin
-Kemi mbështetur prodhuesit në zgjerimin e kapaciteteve të tyre, duke subvencionuar 20% të vlerës së kredisë investuese
-Kemi rritur subvencionet në bujqësi duke trefishuar mbështetjen për grurin e duke rritur mbështetjen për produktet e kulturat tjera
-Kemi miratuar e shpërndarë pako masash, më shumë se cilado qeveri tjetër, për të mbështetur familjet në nevojë e rritur fuqinë e tyre blerëse
E shumë e shumë masa e veprime tjera, çdoherë në shërbim të mbështetjes së ekonomisë e bizneseve për të rritur prodhimin, eksportet e punësimin.