Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka paraqitur të arritur që janë bërë në këtë komunë për vetëm 9 muaj të qeverisjes, me ç’rast ka treguar se janë kursyer dhjetëra mijëra euro nga buxheti i komunës nga ndalja e keqpërdorimeve, ndërsa janë rritur pagat e punëtorëve, raporton Kosovanews.
Hyseni ka treguar se janë 205 punëtorë të cilëve u është rritur paga dhe kjo falë punëve të mira që është duke i bërë qeverisja aktuale.
“Rritëm pagat e 205 punëtorëve të mirëmbajtjes dhe sigurimit të Objekteve Komunale të Shëndetësisë, Arsimit dhe Administratës së Përgjithshme. Mbi 180.000€ janë kursimet prej bartjes së aktivitetit nga kompania tek ndërmarrja “Tregu” që i kemi destinuar për paga për punëtorë”, ka thënë ai.
Ai tha se kanë zgjidhur problemin e kahmotshëm të punëtorëve me kontrata dhe periudha të shpeshta të angazhimit pa kompensim dhe se tani pagat e tyre tani do të jenë të rregullta.
Heseni tha se kanë zgjeruar aktivitetin e ndërmarrjes Komunale Tregu duke siguruar qëndrueshmërinë e saj dhe duke treguar kujdesin e munguar më parë për të.
“Pas matjes së objekteve komunale, diferenca e sipërfaqes për të cilën kemi gjet kontratë për mirëmbajtje është 12.882 m² më pak”.
Ai tha se për 9 muaj të qeverisjes së tij, janë kursyer dhjetëra mijëra euro nga buxheti i komunës nga ndalja e keqpërdorimit, e të cilat do t’i destinojnë për projekte zhvillimore për qytetarët.
“Siguruam organizim dhe monitorim më të mirë të punës për të ofruar shërbime cilësore për të gjithë”, ka thënë kryetari Hyseni./KosovaNews/


