Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, .Elbert Krasniqi dhe drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Avdullahu, gjatë ditës së sotme kanë qëndruar në Gjakovë dhe Rahovec, për të parë nga afër gjendjen në këto dy komuna pas vërshimeve dhe reshjeve të shumta, raporton KosovaNews.
Me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ministrat Sveçla e Krasniqi, vizituan familjet në lagjet të cilat janë të prekura nga vërshimet.
“Gjatë kësaj vizite kuptuam nevojat e qytetarëve dhe ofruam përkrahjen e parezervë të organizmave reagues me qëllim të tejkalimit të situatës.”, ka shkruar ministri Sveçla në facebook përcjell KosovaNews.
Po ashtu, me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ministrat Sveçla e Krasniqi, vizituan fshatin Fortesë ku u njoftuan për dëmet të cilat janë shkaktuar nga reshjet e mëdha të shiut.
“Ministria e Punëve të Brendshme përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim të familjeve në lagje të ndryshme. Policia e Kosovës dhe FSK është në koordinim të ngushtë me dy Komunat që t’iu përgjigjet kerkesave dhe nevojave të qytetarëve gjatë tërë kohës.”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook./KosovaNews/