Policia e Kosovës në vazhdën e zbatimit të planit operativ “Migrimi i parregullt”, si rezultat i intensifikimit të veprimeve operative në terren, për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të përfshirë në veprat penale, ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar dhe disa viktima të trafikimit me migrantë.
Në njoftim thuhet se edhe me datë 15.09.2022 në orën 22:10, njësia policore nga stacioni policor për mbikëqyrje të kufirit në Vërmicë, kanë ndaluar një automjet me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar, i cili ishte duke marrë katër persona shtetas sirianë që dyshohet se janë migrantë të parregullt.
Policia bëri të ditur se gjatë kontrollimit të personit të dyshuar me shtetësi të Kosovës i janë gjetur 2 qese të vogla me gjithsej 122 gramë substancë narkotike të dyshuar të llojit ‘marihuanë’.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë kompetente policore për trajtim të mëtutjeshëm procedural ndaj migrantëve, ndërsa në konsultim me prokurorin të dyshuarit i është iniciuar rasti “ Kontrabandim me migrantë” si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge” dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.




