Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e së mërkurës Projektligjin për Siguri Kibernetike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përmes këtij projektligji themelohet edhe Agjencia për siguri kibernetike.
“Përmes këtij projektligji themelohet agjencia për siguri kibernetike. Kjo agjenci do te kontribuoj në rritjen e kapaciteteve më fushën e sigurisë kibernetike”, ka thënë Kurti.
Ishte ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla që ka prezantuar në mbledhjen e qeverisë, Projektligjin për Siguri Kibernetike, i cili u miratua me shumicë votash nga kabineti qeveritar.
Ministri Sveçla duke folur për sulmet kibernetike të ditëve të fundit ndaj shërbimeve të internetit në institucionet e Kosovës tha se me këtë projketligj synohet të krijohen kushtet që të ketë siguri kibernetike në Republikën e Kosovës.
“Në kuadër të Projektligjeve të MPB-së, për vitin 2022 është edhe Projektligji për Sigurinë Kibernetike. Siç e dimë kohëve të fundit jemi përballur me sulme kibernetike që kanë cenuar funksionalitetin e shërbimeve. Përmes këtij ligji synohet të krijohen kushtet që të ketë siguri kibernetike në Republikën e Kosovës”, tha Sveçla.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës janë miratuar edhe Projektligji për Prokurorinë Speciale dhe ai për Prokurorin e shtetit./KosovaNews/


