Në orët e hershme të së martës ka ndodhur një përleshje mes dy grupeve në Prishtinë, ku tre persona kanë marrë lëndime trupore.
Në përleshje, siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës, është përdorur edhe arma, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja.
“Tre personat e lënduar pas trajtimit mjekësor janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. I dyshuari që ka shtënë me armë gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
VRASJE NË TENTATIVË /LËNDIM I RËNDË TRUPOR/Prishtinë 13.09.2022-03:01. Raportohet se si pasojë e përleshjes mes dy grupeve të personave lëndime trupore kanë pësuar tre meshkuj kosovarë. Po ashtu është raportuar se një person i dyshuar ka shtënë me armë zjarri, lidhur me rastin në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë sekuestruar dy gëzhoja dhe një veturë. Tre personat e lënduar pas trajtimit mjekësor janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari që ka shtënë me armë gjendet në kërkim policor.


