Paraditen e nesërme në Kranjë të Sllovenisë mbahet samiti i njëmbëdhjetë i liderëve të Procesit Bërdo-Brijuni.
Presidenti slloven, Borut Pahor do t’i pres në mëngjes liderët e vendeve të Evropës Juglindore, në samitin që ka për qëllim zhvillimin politik dhe të përgjithshëm në Evropën Juglindore.
Kosova në këtë Samit përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Ky samit, kontribuon në procesin e zgjerimit dhe në të njëjtën kohë trajton disa çështje delikate të politikave globale dhe rajonale.
Sipas presidencës sllovene, sivjet ky Samit do të jetë një mundësi për të vlerësuar situatën aktuale në rajon dhe mbi të gjitha për t’u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.
Kjo nismë e quajtur Procesi i Bërdo-Brijuni u formua në vitin 2010 nga kryeministrat e atëhershëm slloven dhe kroat, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor.