Të enjten, në orët e mbrëmjes, Policia në Mitrovicë ka pranuar një informatë se në Spitalin Rajonal në Mitrovicë ishte dërguar një person e gjinisë femërore pa shenja jete.
Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa sipas mjekut kujdestar viktima B.Y e moshës 19-vjeçare ishte pranuar në spital pa shenja jete. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion ndërsa policia ka filluar me veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, ku në cilësi të dëshmitarëve janë intervistuar disa dëshmitarë kurse rasti me udhëzim të prokurorit ishte cilësuar si ,,Vdekje e dyshuar”.
Ndërkaq, dje si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga ana e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Jug (NJHR) në koordinim me prokurorin e shtetit, hetuesit e NJHR-së kanë arrestuar personin L.SH, 19-vjeçar, duke u bazuar në dyshimet se viktima kohët e fundit kishte qenë në presion të vazhdueshëm nga i dyshuari, në këtë rast i fejuari i viktimës.
Ndaj të dyshuarit në fjalë është iniciuar rasti për dyshimin e kryerjes së veprës penale: ,,Shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje”, ndërsa me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.


