Kadri Rrahimi, kryetar i Komunës së Kamenicës e cila udhëhiqet nga Lëvizja vetëvendosje, ka konfirmuar për KosovaNews se ka filluar procesi mësimor në disa shkolla të kësaj komune.
Rrahimi tha se mësimi ka filluar në tri paralele të shkollës: “Dëshmorët e Kombit” në Kamenicë, mandej po punohet te shkolla “Avdullah Krasniqi”, shkolla “Skënderbeu” në Kopernicë, shkolla “Asllan Thaçi” në Karaqevë, dhe po ashtu tha se ka nisur punën edhe çerdhja “Filizat” në këtë qytet dhe pritet që deri të hënën të fillojë punën edhe Gjimnazi “Ismail Qemaili”.
I pyetur se si po zhvillohet procesi mësimor në këto shkolla nga mësimdhënësit, Rrahimi u shpreh se ata janë duke e ushtruar profesionin e tyre në proces të rregullt ani pse mendojnë që kërkesat janë të arsyeshme, porse mjeti për t’i arritur kërkesat nuk është i duhuri dhe nuk ka nevojë për bojkot, por ka nevojë për fuqizim të kërkesave.
“Janë duke e ushtruar profesionin e tyre në proces të rregullt mësimor dhe pavarësisht asaj këta mësmidhënësit mendojnë që kërkesat janë të arsyeshme, ndërsa mjeti për t’i arritur kërkesat është i paarsyeshëm d.m.th nuk ka nevojë bojkot, por ka nevojë për fuqizim të kërkesave”, tha ai.
Rrahimi ka dhe një mesazh për qytetarët, prindërit, fëmijët e sidomos për mësimdhënësit.
Ai i fton mësimdhënësit që t’i kapin ditarët për të zhvilluar mësimin, pasi që sipas tij për shkak të mosmarrëveshjeve, nuk duhet ta pësojë fëmija, sepse ata kanë të drejta të garantuara me ligje dhe konventa.
“Për qytetarët për prindërit për mësimdhënësit dhe fëmijët kemi pas edhe në diskutime edhe me SBASHK-un, ne mendojmë që kërkesat janë të arsyeshme edhe mësimdhënësit i meritojnë pagat e dinjitetshme, por ne nuk pajtohemi me mjetet qysh këta synojnë me i arrit këto kërkesa. Pra përderisa ka një mosmarrëveshje të institucioneve dhe punëmarrësve, nuk duhet me pësu fëmija, ata duhet me qenë në shkollë, e drejta e tyre është e garantuar me ligje vendore ndërkombëtare e konventa gjithashtu. Duhet e ka nevojë që sindikata me ndërru formën e mjetit që po e përdor për me i realizu kërkesat, u bëj thirrje mësimdhënësve me i realizu kërkesat edhe me i kap ditarët me ia nis mësimit”, tha Rrahimi për KosovaNews.
Lexoni edhe këtë:


