Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kritikuar Qeverinë Kurti për pakon e re për përballimin e inflacionit prej 150 milionë euro, të cilën e prezantuan ditë më parë kryeministri Albin Kurti si dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Qeveria e Kosovës i ka ndarë 150 milionë euro si pako për përballje me inflacion, e gjithë këto para do të shkojnë për kategori të ndryshme, si punëtorët në sektorin publik, studentët, pensionistët dhe bizneset që rrisin pagat e punëtorëve, etj.
Por, partia opozitare ka dhënë kritika edhe për këtë ndihmë të dhënë qytetarëve. Besian Mustafa nga LDK-ja, përmes një konference për media tha se kjo pako është joefektive dhe diskriminuese.
“Qeveria këtë fundjavë paraqiti një pako të re në panik e sipër, pa ndonjë konsultim. Kjo pako është joefektive dhe diskriminuese. Shumica e masave janë të vonshme, nuk janë të planifikuara mirë dhe do të kenë pak ose fare efekt”, u shpreh Mustafa.
Para mediave, ai deklaroi se Qeveria ka injoruar plotësisht të punësuarit privat, ndërsa nuk ka ndarë asnjë cent për të papunët.
“Qeveria ka vendosur t’i injorojë plotësisht të punësuarit në sektorin privat. Asnjë cent nuk u dhanë as të papunëve. Kjo pako nuk ofron mbështetje për të gjithë qytetarët, por shkakton pabarazi duke u ndarë njëjtë shtesa si atyre që kanë pagë 300 euro e si atyre që kanë 3 mijë”.
Për LDK-në tha se ky është veprim në panik i kësaj qeverie “për të blerë paqen sociale”.
Qeveria ndan edhe 150 milionë euro për ta luftuar inflacionin, shtesa e ndihma për të gjithë
Përkundër kësaj Qeveria e Kosovës dje i ka ndarë 150 milionë euro si pako për përballje me inflacion, e gjithë këto para do të shkojnë për kategori të ndryshme, si punëtorët në sektorin publik, studentët, pensionistët dhe bizneset që rrisin pagat e punëtorëve.
Kryeministri Kurti tha se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj, shtatorin. Pensionistët do të marrin nga 100 euro për muajin shtator, ndërsa shumën e njëjtë pra nga 100 euro, do ta marrin edhe studentët, në nëntor.
Nga 100 euro do të marrin edhe punëtorët e ndërmarrjeve publike. Kjo është ndihmë e njëhershme.
E kryeministri bëri te ditur se nga shtatori nga 50 euro shtesë do të marrin punëtorët e sektorit publik.
Ndërsa për punëtorët e sektorit privat u tha se Qeveria do të subvencionojë për tre muaj ato biznese që i rrisin pagat e punëtorëve, pra gjysmën e rritjes së pagës së tyre për tre muaj./KosovaNews/


