Gazeta e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkruan në një koment se kryeministri Albin Kurti për herë të parë ka arritur të zbatojë parimin e reciprocitetit me Serbinë. Kjo është një fitore e rëndësishme e Kosovës në rrugën e pranimit të pavarësisë nga Serbia, thekson gazeta
Për herë të parë pas pavarësisë së Kosovës Serbia është e shtyrë të pranojë dokumente me simbole shtetërore të Kosovës.
Ky është thelbi i marrëveshjes së arritur së fundi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Në shikim të parë, shkruan “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ), kjo duket si fitore simbolike, por ajo është shumë më tepër se kaq.
Deri më tani shtetasit e Kosovës pajiseshin me një dokument serb në kufi, i cili zëvendësonte dokumentin kosovar. Me këtë marrëveshje, komenton “NZZ”, kryeministri Albin Kurti për herë të parë ka arritur që Serbia të pranojë parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet me Kosovën.
Rregulli se “siç ma bën ti mua, ta bëj unë ty” është një parim i rëndësishëm themelor i të drejtës ndërkombëtare dhe tregon se përballë njëra tjetrës qëndrojnë dy subjekte juridike.
“Kush e pranon reciprocitetin, e akcepton tjetrin parimisht si të ngjashëm. Pikërisht për këtë arsye Kurti qëmoti është përpjekur pa sukses që këtë parim ta etablojë si bazë në marrëdhëniet bilaterale me Beogradin. Tani ia ka arritur”, shkruan “NZZ”, raporton KOHA.
Në përditshmëri marrëveshja e fundit nuk do të ndryshojë shumë, por – dhe kjo është vendimtare – ngatërresa mes Kosovës dhe Serbisë tani futet në një “kornizë” tjetër. Në dekadat e fundit përherë është folur për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”, janë diskutuar modele të ndryshme: autonomi, ndarje, integrim i dhunshëm dhe pavarësi.
“Kurti ia doli tani që perspektiva të zgjerohet: para syve të BE-së si ndërmjetësuese dhe para amerikanëve që asistojnë në mënyrë efikase çështja e Kosovës është bërë problem bilateral. Për herë të parë Beogradi e pranon palën kosovare faktikisht si të barabartë”, komenton gazeta zvicerane.
“Kjo natyrisht nuk është njohje e Kosovës në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare. Por është parakusht”.
Gazeta paralajmëron se Prishtina duhet të sillet kujdesshëm me suksesin e arritur, sepse është sukses në një etapë. Andaj, shkruan “NZZ”, Kosova duhet të jetë e gatshme të themelojë bashkësinë e komunave serbe, të cilën e ka premtuar me marrëveshje para gati 10 viteve dhe e ka shtyrë vazhdimisht.
Suksesin e arritur në avancimin e sovranitetit Kurti tani do të duhej ta zbatonte me mençuri, shkruan “NZZ”.


