Gjykata ka shpallur vendimin ndaj të pandehurit Xhelal Sveçla, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale për gazin lotsjellës.
Në seancën e 28 gushtit 2026, Prokuroria kishte paraqitur fjalën përfundimtare, duke propozuar që gjatë matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese, në përputhje me nenin 70 të Kodit të Procedurës Penale.
Prokurori Valdrin Krasniqi, duke konsideruar se Sveçla ishte shpallur fajtor për veprën penale për të cilën neni 375 parasheh dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe burgim prej një deri në dhjetë vjet, kishte kërkuar që atij t’i shqiptohej dënim me dy vjet burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.
Megjithatë, Gjykata ka vendosur ndryshe. Gjyqtari, Sabit Sadiku u deklarua në seancë.
Sipas vendimit, Xhelal Sveçlës i është shqiptuar një vit burgim me kusht, si dhe 50 euro gjobë. Po ashtu, është caktuar edhe pagesa prej 20 eurosh për Fondin për Mbrojtjen e Viktimave.
Palët në procedurë kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi, në përputhje me afatet dhe procedurat ligjore.

