Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian duhet t’i përshtatë sistemet e mbrojtjes civile me një realitet të ri, ku emergjencat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më të rënda dhe mund të ndodhin në të njëjtën kohë, raporton Euronews.
“Duhet të jemi të përgatitur për një botë ku ngjarjet ekstreme ndodhin më shpesh, në më shumë vende dhe në të njëjtën kohë”, ka thënë von der Leyen nga Qendra Evropiane e Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave.
Sipas saj, ndryshimet klimatike po e ndryshojnë natyrën e fatkeqësive dhe po rrisin rrezikun që disa kriza të ndodhin njëkohësisht, duke tejkaluar kapacitetet e shteteve individuale.
Von der Leyen ka bërë të ditur se mekanizmi i mbrojtjes civile i BE-së është aktivizuar 10 herë për shkak të zjarreve që nga prilli. Gati 800 zjarrfikës janë vendosur paraprakisht në zonat me rrezik të lartë, ndërsa ekipe nga 25 vende janë angazhuar gjatë verës.
Komisionerja për Ndihmë Humanitare dhe Menaxhim të Krizave, Hadja Lahbib, ka thënë se rreth 300 mijë njerëz janë evakuuar këtë verë për shkak të zjarreve.
“Kemi një strategji të mirë, por duhet të bëjmë më shumë, sepse ndryshimet klimatike nuk po trokasin në derë, ato janë brenda dhomës. Janë brenda Evropës. Fatkeqësisht, ne jemi kontinenti që po ngrohet më shpejt”, ka deklaruar Lahbib.
Sipas Komisionit Evropian, më shumë se 600 mijë hektarë janë djegur në territorin e BE-së këtë vit, më shumë se dyfishi i mesatares afatgjatë të dy dekadave të fundit.
Von der Leyen ka theksuar se nuk mjafton më vetëm mobilizimi i burimeve pasi të ndodhin zjarre, përmbytje apo tërmete, por se BE-ja duhet të përqendrohet më shumë në parandalim, gatishmëri dhe ndërhyrje të hershme.
Në të njëjtën kohë, qasja e BE-së ndaj mbrojtjes civile po zgjerohet edhe ndaj kërcënimeve të tjera, përfshirë sulmet kibernetike, sabotimin e infrastrukturës kritike dhe kërcënimet hibride.
Euronews raporton se financimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike mbetet një nga sfidat kryesore, ndërsa disa vende të BE-së po kërkojnë ulje të shpenzimeve në kuadër të diskutimeve për buxhetin afatgjatë të Unionit për periudhën 2027–2034.

