Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari, ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime me përfaqësues të kompanive të huaja, me fokus në mundësitë për investime të reja në Kosovë, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe shërbimeve.
Sipas një postimi të ministres, gjatë takimit të parë ajo është takuar me përfaqësuesit e kompanisë belge SettleMINT, bashkë me drejtorin Matthew Van Niekerk dhe përfaqësues të kompanisë Gjikolli & Partners LLC, të përfaqësuar nga Lum Gjikolli.
Në takim është prezantuar një nismë për fuqizimin e mundësive për mobilizimin e kapitalit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Kusari ka bërë të ditur se në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Gëge Leshi, si dhe Diar Beqaj, ndërsa është diskutuar identifikimi i fushave konkrete me interes për zhvillimin e vendit.
Në një tjetër takim, ministrja ka takuar çiftin amerikan Bailey dhe Visar Grajqevci, me të cilët, sipas saj, janë diskutuar projekte konkrete në fushën e turizmit dhe shërbimeve të mikpritjes.
Kusari ka theksuar se oferta turistike malore e Kosovës është duke tërhequr vëmendje dhe se përvoja e modelit amerikan të të bërit biznes mund të sjellë një qasje të re në zhvillimin e turizmit malor dhe ofertës së mikpritjes.
“Kosova është vendi i vogël, por me potencial të madh”, ka shkruar Kusari, duke nënvizuar nevojën për lidhjen e potencialit të vendit me njerëzit, teknologjinë dhe kapitalin, në mënyrë që këto mundësi të shndërrohen në zhvillim të qëndrueshëm.
Ministrja ka deklaruar gjithashtu se institucionet e Kosovës synojnë të mundësojnë investime serioze, duke respektuar ligjin dhe procedurat, me synimin që vendi të bëhet më konkurrues dhe inovativ, duke krijuar mundësi të reja për investitorët dhe qytetarët.

