Prokuroria Speciale ka njoftuar se janë gjetur mbetjet kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve në lokacionet e dyshuara në Zubin-Potok ku po kryhet procesi i gërmimit dhe ekshumimit.
Mbetjet janë identifikuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.
Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.

