Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar kontrollet në treg lidhur me produktet e qumështit dhe produktet e ngjashme që përmbajnë yndyra me bazë bimore, ndërsa në kuadër të listës së produkteve që duhet të tërhiqen nga tregu janë edhe disa produkte të prodhuara nga Qumështorja Vita (Abrazen LLC).
Sipas komunikatës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), inspektorët kanë kryer shtatë kontrolle në markete të klasit B dhe C në rajonet e Prishtinës dhe Prizrenit. Gjatë kontrolleve janë gjetur produkte që përmbajnë yndyra me bazë bimore dhe ato janë larguar nga raftet e shitjes me urdhër të IQMT-së.
Në listën e produkteve të Qumështores Vita që duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu janë edhe produktet e qumështit UHT. Konkretisht, komunikata e MINT përmend:
- Schmand, 18%, 180 g
- Schmand, 18%, 800 g
- Schmand, 18%, 400 g
- Holla Dessert, 1 L
- Holla Barista, 3.8%, 1 L
- Graden Milk, 1 L
- Holla Cooking Cream, 1 L
- Mushroom Cream Cheese, 200 g
- Qumësht “My Coë” 3.2%, 1 L
- Qumësht UHT “My Coë” 3.2%, 1 L
- Qumësht UHT “Land” 3.2%
- Djathë i bardhë 100%, 250 g
MINT njofton se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke u bazuar në listën e zgjeruar të produkteve të identifikuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Ndërkohë, gjatë kontrolleve të sotme janë larguar nga raftet edhe produktet Holla Schmand 400 gram, Holla Cooking Cream 1 litër dhe Magic Krem 800 gram.
Ministria thotë se do të publikojë në baza ditore informacionet për produktet e larguara nga tregu, me qëllim të parandalimit të mashtrimit të mëtejshëm të konsumatorëve.
MINT u ka bërë thirrje kompanive prodhuese që të tërheqin produktet e tyre që kanë në përbërje yndyra bimore, ndërsa konsumatorëve u është bërë thirrje që, nëse hasin në produktet e listuara, t’i raportojnë ato përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000.


