Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje ndaj portalit “VOX Kosova” dhe gazetarit Lirim Mehmetaj, duke i akuzuar për publikimin e lajmeve të pavërteta me përmbajtje denigruese.
Sipas dokumentit të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega Fushë Kosovë, padia është ngritur për shpifje dhe fyerje, me propozim për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë. Në padi si të paditur figurojnë kompania “VOX Media Sh.P.K.” dhe pronari i këtij portal Lirim Mehmetaj.
Thaçi ka bërë të ditur se procedurat ligjore janë iniciuar përmes avokatit të tij, Liridon Kutllovci.
“Me shpifësit do të përballem në gjykatë. Sot, përmes avokatit tim, Liridon Kutllovci, kam dorëzuar padi për shpifje ndaj portalit dhe personave përgjegjës për publikimin e lajmeve të pavërteta dhe denigruese”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ai theksoi se beson në drejtësi dhe sundimin e ligjit, duke shtuar se liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mburojë për shpifje dhe dezinformim.
“Gazetaria duhet t’i shërbejë së vërtetës dhe interesit publik, jo shpifjes. E vërteta do të flasë në gjykatë”, përfundon reagimi i kryetarit të Obiliqit.
Padia lidhet me një artikull të publikuar më 5 gusht 2026 në portalin “VOX Kosova”, për të cilin Thaçi thotë se përmban deklarime shpifëse.
Në këtë artikull portali VOX Kosova kishte bërë një video me tekst me titull: “Ekskluzive: Grupi “Shqiponjat e Kastriotit” rrahin brutalisht punëtorin në market, në pikë të ditës…
VOX Kosova merr vesh se nuk mbajtën paraburgim as 48 orë, sepse ndërhyri për t’i liruar Halil Thaçi, kryetar i Obiliqit”
Në këtë artikull të portalit të Lirim Mehmetaj nuk ishte ofruar asnjë fakt se si kishte ndërhyrë kryetari i Obiliqit Halil Thaçi në prokurori për t’i liruar personat nga arresti.



