Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në Çeki nga kryetari i Senatit çek, Miloš Vystrčil, me ç’rast i ka kërkuar këtij të fundit përkrahje për të shtyrë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë presidencës çeke të BE-së.
Osmani tha se po punojnë ngushtë me institucionet dhe partnerët nga Çekia për t’i dhënë rrugë të qartë integrimit evropian të Republikës së Kosovës përgjatë Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së.
“Kam kërkuar nga Kryetari Vystrčil përkrahje për të shtyrë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë presidencës çeke të BE-së si dhe përkrahje për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe, si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Ajo ka falënderuar kryetarin e Senatit Çek, Miloš Vystrčil, për pritjen dhe bashkëbisedimin e përzemërt.
“Populli i Kosovës dhe populli çek asnjëherë nuk e marrin si të mirëqenë lirinë e fituar me shumë mund, prandaj qëndrojmë të bashkuar tani kur këto vlera rrezikohen në kontinentin tonë”.