Pas aksionit të gjera në sektorin e qumështit të realizuar gjatë periudhës prill-korrik të këtij viti, Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë publikuar rezultatet e analizave të kryera, një pjesë e të cilave tregojnë se konsumatorët nuk kanë qenë të informuar për të gjithë përbërësit që janë përdorur në produktet e qumështit.
Nga 496 mostra të testuara, sipas AUV-it, ka rezultuar se në 93 raste ka pasur mospërputhje.
Pra, analizat tregojnë se në këto raste, operatorët nuk kanë deklaruar të gjithë përbërësit që kanë përdorur, në etiketat e vendosura në produktet qumështore. Ndërsa, në 46 raste është vërejtur edhe prania e vajit të palmës në këto produkte.
Kryeshefi i AUV-it, Bekim Hoxha tha se kanë ndërmarrë masa ndaj operatorëve. “Në periudhën prill-korrik 2026 është organizuar një aksion në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit. Agjencia ka mobilizuar të gjitha kapacitetet inspektuese dhe laboratorike në nivel vendi. Janë marrë 496 mostra të cilat janë analizuar për parametra të ndryshme të sigurisë ushqimore. Përmbajtjen e yndyrës, proteinës, përmbajtjes së vajit të palmës, qumështit pluhur… Rezultatet kanë ofruar një pasqyrë lidhur me gjendjen reale të këtij sektori. Ato kanë identifikuar një numër të madh mospërputhjesh. Disa mospërputhje janë në nivel përbërësish. Nga 93 mospërputhje të identifikuara, 46 raste kanë rezultuar me praninë e vajit të palmës. Analizat tona rezultuan se në 91% të rasteve, përbërësit nuk janë deklaruar në etiketë. Konsumatori nuk ka pasur informacion të saktë për produktin që ka blerë. Agjencia ka vepruar menjëherë. Operatorëve i është kërkuar korrigjimi i deklarimit, pajisja me autorizimet përkatëse. Në rastet kur janë konstatuar mospërputhje serioze është ndërprerë prodhimi dhe janë tërhequr produktet nga tregu”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja ngriti shqetësime për përdorimin e vajit të palmës dhe disa përbërësve tjerë në sasi të madhe në produktet qumështore.
Sipas tij, konsumatorët duhet të kenë informacione për këta përbërës dhe se shëndeti publik duhet të mbrohet.
“Përgjegjësia jonë është e qartë, e kemi detyrim që të garantojmë që për ushqimin e vendosur në treg, konsumatori duhet të informohet saktë. Ky është standardi që e kërkon kushtetua dhe rregullat tona. Disa muaj më parë ministria dhe AUV vendosën të intensifikojnë kontrollet në sektorin e qumështit. Nuk kishim për qëllim që të gjendet fajtor, por të gjendet e vërteta. Andaj kontrollet u zhvilluan në mënyrë të koordinuar. Nga sot do të nxjerrë vendim sa i përket procedurës së zbatimit të ligjit në rastet dhe raportin në fjalë. Qumështi i fermerëve tanë është më i miri. Por jo gjithmonë pas dorëzimit e ruan atë cilësi. Ka të tillë që e kanë tradhtuar besimin e infermierit dhe konsumatorit. Andaj unë i kam kërkuar AUV që të mbrohet konsumatori, shëndeti publik dhe fermeri. Ata të cilët kanë lëshuar gabime të tilla në emër të profitit pa konsideruar ndjeshmërinë do të përballen me masa korrigjuese. Produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu. Aktivitetet e paligjshme do të suspendohen. Të gjitha aktivitetet tjera duhet të verifikohen”, ka shtuar ai.


