Autoritetet serbe kanë arrestuar një person me origjinë nga Istogu, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Spiunazh”, në një rast që lidhet me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuari me inicialet R.T., 46 vjeç, është arrestuar, më 30 korrik në territorin e Kraljevës.
Operacioni është zhvilluar nga pjesëtarë të Shërbimit për Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kriminale, Prokurorinë e Lartë Publike në Kraljevë dhe Agjencinë serbe të Sigurisë dhe Informacionit.
Autoritetet serbe pretendojnë se i arrestuari ka bashkëpunuar me një shërbim informativ që vepron në Kosovë dhe se ka mbledhur e transmetuar të dhëna lidhur me aktivitetet e ish-pjesëtarëve dhe pjesëtarëve aktualë të ushtrisë së Serbisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera të sigurisë.
Arrestimi është kryer në një periudhë kur në zonën e Kalludrës së Vogël në Zubin-Potok po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar për varrezë masive.
Dyshohet se në këtë lokacion mund të ndodhen mbetjet mortore të 23 intelektualëve shqiptarë nga Mitrovica, të zhdukur në prill të vitit 1999.
Ndaj R.T. është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, ai pritet të paraqitet para Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm ligjorë.


