Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të akuzuarit Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari, janë paraqitur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të japin fjalët përfundimtare në rastin ku akuzohen për krim të organizuar dhe frikësim të dëshmitarëve të mbrojtur në rastin “Drenica 1”.
Të akuzuarit në seancën e kaluar kanë vendosur që të mbrohen në heshtje.
Gjykimi në këtë rast po vazhdon për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit, për të cilët procedura ishte veçuar.
Në pikat e tjera të aktakuzës, në këtë rast ishin përfshirë edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sahit Jashari, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se nuk kishte parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për aprovimin e kërkesave. Ky aktvendim ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2018.
Në ndërkohë, Gjykata Themelore kishte aprovuar marrëveshjen e të akuzuarës Mervete Hasani-Lushtaku me prokurorinë për pranimin e fajësisë. Ajo ishte dënuar me 3 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale “Lehtësim i arratisjes së personit të privuar nga liria”.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020, kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Për arratisjen nga QKUK-ja, gjykata e kishte liruar Lushtakun nga akuza, ndërsa e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera, të ndodhura më 21 gusht 2015 dhe 22 shtator 2015.
Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët që kishin qenë në përcjellje të tij, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.
Ndërsa të gjithë të akuzuarit e tjerë, përfshirë djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun, si dhe Emrush Thaqin, Shemsi Hajrizin, Sami Gjokën, Nexhib Shatrin, Ismail Dibranin, Agim Ukajn, Ismet Haxhën, Dardan Gecin, Bashkim Dervishollin, Valon Behramajn dhe Argjent Behramajn, ishin liruar nga akuzat.
Megjithatë, aktgjykimi ndaj të akuzuarve Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishte anuluar nga Gjykata e Apelit. Pas rigjykimit, të dy ishin liruar nga akuzat me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.
Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, për disa vepra penale që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK-ja, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës” dhe që në QKUK kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore.


