Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka publikuar një mesazh mirëseardhjeje për bashkatdhetarët që gjatë sezonit veror po kthehen në Kosovë për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
Në mesazhin e saj, Haxhiu vlerësoi kontributin e mërgatës ndër vite, duke theksuar se ai ka qenë i rëndësishëm për zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
“Ju keni qenë gjithmonë pranë Kosovës, në kohët më të vështira dhe në ditët e suksesit. Kontributi juaj i palodhshëm ka qenë dhe mbetet i çmuar për zhvillimin, mirëqenien dhe forcimin e shtetit tonë. Kosova është krenare për secilin prej jush”, thuhet në mesazhin e saj.
Ajo uroi bashkatdhetarët për një udhëtim të sigurt dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që udhëtojnë me veturë të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion.
“Duke qenë se rruga drejt vendlindjes është shpesh e gjatë dhe e lodhshme, ju uroj udhëtim të mbarë e të sigurt. Të gjithë atyre që udhëtojnë me veturë, u bëj thirrje të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit e të kenë durim, në mënyrë që të mbërrini shëndosh e mirë pranë familjeve të tyre”, ka theksuar Haxhiu.
Në përmbyllje të mesazhit, ushtruesja e detyrës së Presidentes u shprehu mirëseardhje bashkatdhetarëve në Kosovë.
“Kosova ju pret me zemër të hapur… Mbi të gjitha, ju pret atdheu juaj, Kosova, e cila do të mbetet gjithmonë shtëpia juaj, pavarësisht se ku ju ka çuar jeta. Mirë se vini në shtëpi!”, thuhet në mesazhin e saj.


