Ministria e Sportit dhe Rinisë ka dhënë kontratën për ofrimin e shërbimeve të transportit ajror, përkatësisht furnizimin me avio-bileta për nevojat e udhëtimeve zyrtare të stafit të saj, në vlerë prej 399,741.26 euro.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, operatori ekonomik fitues është “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, ndërsa kontrata është paraparë të nënshkruhet sot.
Kontrata është realizuar përmes një procedure të hapur, me kriter për përzgjedhje çmimin më të ulët, ndërsa në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.
Bëhet fjalë për një marrëveshje kornizë 36-mujore, e cila synon të sigurojë furnizimin me bileta avioni për udhëtimet zyrtare të Ministrisë. Në dokument thuhet se relacionet e udhëtimeve nuk mund të përcaktohen paraprakisht, pasi ato varen nga nevojat institucionale.
Vlera e kontratës prej 399,741.26 euro është e afërt me vlerën e parashikuar të prokurimit, e cila ishte 400 mijë euro.


