Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet D.Q., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: “Marrje ryshfeti” nga kodi penal i Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri D.Q, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria, me qëllim që të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës, përveç shqiptimit të dënimit penal, edhe shqiptimin e dënimit plotësues “ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me dispozitat e kodit penal të Republikës së Kosovës.


