Një 16-vjeçar është ndaluar në Ferizaj, pasi dyshohet se ka kanosur dy persona me armë.
Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 23:40, kur stacioni policor në Ferizaj ka pranuar informacion për një rast të dyshuar të kanosjes me armë.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar personat e përfshirë në incident. Në stacionin policor janë shoqëruar dy viktimat dhe i dyshuari.
Gjatë kontrollit, te i dyshuari me inicialet F.A. (16) është gjetur një pistoletë me gas dhe gjashtë fishekë.
Policia ka bërë të ditur se janë intervistuar dy viktimat, ndërsa i dyshuari nuk ka mundur të intervistohet pasi ndodhej nën ndikimin e alkoolit.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 24 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.


