“Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, prej nesër fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja”.
Kështu ka bërë të ditur njohësi i proceseve zgjedhore, Eugen Cakolli, i cili ka sqaruar procedurat dhe afatet që duhet të ndiqen deri në konstituimin e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për formimin e qeverisë së re.
Sipas tij, afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen me sukses të seancës konstituive të kuvendit fillon, më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht 2026.
Cakolli thekson se seanca konstituive duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit kushtetues, kuvendi do të mblidhet automatikisht në ditën e tridhjetë.
“Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV-ja, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP-ja.
Rendi i punës është veçse i paracaktuar. Fillimisht formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, raporti i të cilit votohet me shumicë votash; pastaj bëhet betimi i deputetëve; më pas votohet kryetari i kuvendit dhe, në fund, nënkryetarët e kuvendit”, thotë Cakolli.
Ky është postimi i plotë i tij:
Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, prej nesër fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja.
Afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen e suksesshme të seancës konstituive të Kuvendit fillon nesër, më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht 2026. Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë.
Para seancës, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së legjislaturës paraprake, duhet ta thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës konstituive dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe caktimin e vendeve ku do të ulen deputetët në sallë, sipas subjekteve politike.
Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP.
Rendi i punës është veçse i paracaktuar. Fillimisht formohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, raporti i të cilit votohet me shumicë votash; pastaj bëhet betimi i deputetëve; më pas votohet Kryetari i Kuvendit dhe, në fund, nënkryetarët e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit propozohet nga LVV, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. Votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur, përveç nëse ka konsensus për ndryshim të mënyrës së votimit.
Pas zgjedhjes së Kryetarit, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Tre propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare, LVV, PDK dhe LDK. Një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht nga LS, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Të gjithë zgjidhen me së paku 61 vota. Parimisht, nënkryetarët duhet të votohen në pako. Së paku tre nënkryetarët e propozuar nga subjektet më të mëdha parlamentare mund të votohen në një votim, ndërsa dy nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë në një votim tjetër.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe të pesë nënkryetarët.
Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit hapen dy procedura të ndara kushtetuese, ajo për formimin e Qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e Presidentit. Këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kushtëzojnë formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit.


