Studentja ruse Ekaterina Kravchenko (20), e cila zgjodhi Turqinë për të ndjekur studimet në fushën e teknologjisë së Mjeteve Ajrore Pa Pilot (IHA), ka shënuar një sukses të madh ndërkombëtar së bashku me ekipin e saj.
Kravchenko, e cila dëshironte të specializohej në teknologjinë e dronëve, nuk gjeti një program universitar që t’u përshtatej interesave të saj në vendlindje. Pas hulumtimeve mbi zhvillimet e hovshme të Turqisë në këtë fushë — përfshirë festivalin e njohur të teknologjisë TEKNOFEST — ajo vendosi të vazhdonte studimet në Turqi.

Prej dy vitesh, ajo studion për Inxhinieri Mekatronike në Universitetin Teknik të Bursës.
Rusja është bërë pjesë e ekipit “Lagari”, i cili vepron në kuadër të komunitetit universitar për hapësirën, aviacionin dhe industrinë e mbrojtjes.
Në këtë ekip, Kravchenko mban rolin e udhëheqëses për pjesën elektronike. Së bashku me studentin Sayim Koçak (20), ajo ka zhvilluar një sistem aktiv mbrojtjeje të mbështetur nga inteligjenca artificiale.

Projekti i tyre mori pjesë në garën globale IT-PLANET 2026, të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Inovacionit dhe Kreativitetit me mbështetjen e kompanive teknologjike ruse. Në kategorinë “Sistemet Ndërkombëtare të Mjeteve Ajrore pa Pilot”, ekipi “Lagari” u rendit në vendin e tretë në botë, duke lënë pas dhjetëra ekipe konkurruese.
Në garë morën pjesë rreth 60 ekipe nga vende të ndryshme, ndërsa suksesi i Kravchenkos dhe ekipit të saj po vlerësohet si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e teknologjisë së avancuar.



