Personi i pestë i cili ishte identifikuar nga Policia e Kosovës është arrestuar dhe tani është duke u intervistuar në stacion policor, raporton KosovaNews.
Këtë e ka konfirmuar vetë Policia në një njoftim për media, ku thuhet se si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, tani edhe personi i pestë i dyshuar i cili ka qenë në kërkim është duke intervistuar nga hetuesit.
“Të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin “dhunim” të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin e “dhunimit” të raportuar dje në Prishtinë, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejt dje arrestuan dy (2) persona të dyshuar, kurse në vazhdimësi ka punuar me intensitet të lartë në identifikimin edhe të personave tjerë, hetimin dhe sqarimin e rrethanave të plota të këtij rasti.
“Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë (5) i dyshuar për përfshirje në rastin “dhunim”, thuhet në njoftimin e djeshëm.
Pra, lidhur me rastin e “ dhunimit” policia dje ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar dhe sot (e martë) është arrestuar.
Polica e Kosovës thekson se është e përkushtuar në trajtimin e rastit të lartcekur në mënyrë sa më profesionale dhe kryerësit e këtij akti të sillen para organeve të drejtësisë./KosovaNews/