Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Kushtrim Shyti.
Selimi, i cili më parë ka qenë i dënuar edhe për pjesëmarrje në ISIS, u dënua me 6 vjet burgim për spiunazh, i cili dënim ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I njëjti obligohet të paguajë edhe 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Selimit iu vazhdua masa e paraburgimit. Ai nuk ishte i pranishëm në shpallje. Në shpallje mori pjesë prokurori Bekim Kodraliu dhe avokati i Selimit, Ali Beka.
Në seancën fillestare më 23 shtator 2025, Selimi ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë të ngritur më 9 shtator 2025, Hysri Selimi ngarkohej se nga muaji nëntor 2009 e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (që njihet si BIA), në vazhdimësi ka ndihmuar punën e këtij shërbimi në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri.
Aktakuza thotë se i akuzuari, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s (të cilin paraprakisht e kishin pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie) më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
Ndërsa, aktakuza thotë se pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.
Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.
Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi seriozisht ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar ppo ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.
Prandaj, për këto veprime, Hysri Selimi ngarkohej për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Por kush është Hysri Selimi?
I arrestuari Hysri Selimi ishte gjykuar nga drejtësia kosovare për veprën e terrorizmit dhe se kishte qenë pjesë e organizatës ISIS.
I njëjti bashkë me anëtarët e tjerë të familjes kishin lëshuar Kosovën- me destinacion Sirinë, në mënyrë që t’i bashkoheshin ISIS-it.
Hysri Selimi nga fshati Bresalc i Komunës së Gjilanit ishte i njohur nën dyshimin për lidhje me ISIS-n, derisa sipas aktakuzës së asaj kohe Selimi ishte angazhuar në byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë me nga 100 USD në muaj.
Në vitin 2022, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër tij për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.
Ai akuzohej se me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte lëshuar territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë.
Ai kishte udhëtuar për në Stamboll-Turqi dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste “ISIS” e cila në këto vende ka qenë duke luftuar ku edhe është angazhuar si pjesëtarë i “ISIS-it”, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e “ISIS-it”, është financuar nga “ISIS” me shumën e të hollave prej nga 100 dollar në muaj duke bashkëpunuar edhe me eprorë dhe luftëtarë të “ISIS-it”.
Sipas prokurorisë, i njëjti në këtë organizatë terroriste ka qenë i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur, dhe për këtë funksion është financuar nga ISIS me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.
Hysri Selimi ishte riatdhesuar në Kosovë më datë 28.05.2022.



