Ylli i kombëtares së SHBA-së, Christian Pulisic, ka dërguar një mesazh të qartë për rivalët para nisjes së Kupës së Botës 2026, duke deklaruar se skuadra amerikane është gati të konkurrojë me këdo në turne.
SHBA, një nga tri vendet organizatore të Botërorit së bashku me Kanadanë dhe Meksikën, do ta nisin aventurën e tyre me përballjen ndaj Paraguait në Grupin D.
“Duam të jemi një forcë e vërtetë në këtë turne. Kemi tri ndeshje shumë të rëndësishme për t’i treguar botës se çfarë përfaqësojmë,” deklaroi Pulisic.
Sulmuesi amerikan theksoi se skuadra ka cilësinë e nevojshme për të rivalizuar me ekipet më të mira në botë.
“Ne e dimë se për çfarë jemi të aftë. Tani është momenti ta tregojmë në fushë. Jemi gati për betejë. Nuk bëhet fjalë vetëm për të luajtur futboll të bukur, por edhe për të luftuar në çdo duel,” shtoi ai.
Edhe përzgjedhësi i SHBA-së, Mauricio Pochettino, pret një ndeshje shumë të vështirë ndaj Paraguait, duke e cilësuar kundërshtarin si një ekip fizikisht të fortë dhe jashtëzakonisht konkurrues.
“Paraguai është një skuadër e madhe. E kemi parë gjatë kualifikueseve se sa e vështirë është të luash kundër tyre. Kanë mposhtur Argjentinën dhe Brazilin. Janë agresivë, të disiplinuar dhe me shumë cilësi,” tha Pochettino.
Megjithatë, trajneri argjentinas nuk e fshehu ambicien e tij të madhe për Botërorin.
“Për mua, suksesi do të thotë të fitosh. Të fitosh ndeshjen e parë dhe më pas të vazhdosh. Nëse nuk arrijmë në finale dhe nuk fitojmë Kupën e Botës, është e vështirë të flasësh për sukses,” deklaroi ai.
Përveç Paraguait, SHBA-ja do të përballet në fazën e grupeve edhe me Australinë dhe Turqinë, me objektivin për të avancuar sa më larg në turneun që zhvillohet në tokën amerikane.


