Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.88/2025, që lidhet me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PPS.nr.68/2021), e datës 30 dhjetor 2025.
Aktakuza përfshin një numër të madh të pandehurish, mes tyre: Obrad Stevanoviç, Radomir Markoviç, Krsmam Jeliç, Goran Radosavljeviç, Zhivko Trajkoviç, Bogoljub Janiçeviç, Milan Lekiç, Radomir Miliç, Dragan Djorgoviç, Branko Mladenoviç, Dragan Jasoviç, Momçilo Sparavalo, Darko Amanoviç, Srboljub Vujinoviç, Bozhidar Marinkoviç, Zoran Stanojeviç, Milan Josanoviç, Goran Petkoviç, Dragoslav Nikoliç, Çedomir Aksiç dhe Zvonimir Janiçijeviç.
Ata akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, e cila tani korrespondon me nenet 144, 145, 146 dhe 147 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata janë të paqasshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Gjykata u ka bërë thirrje të gjithë të pandehurve që të paraqiten dhe t’u dorëzohen organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Po ashtu, është bërë thirrje edhe për qytetarët që posedojnë informacione mbi vendndodhjen e tyre që t’i njoftojnë Policinë e Kosovës ose institucionet kompetente.
Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 20 korrik 2026, në ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë në Hajvali, Objekti D, dhe do të udhëhiqet nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani.
Gjykata ka bërë të ditur se aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Institucioni gjyqësor ka theksuar se do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme të këtij rasti


