Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve për ndërtimin e urës së re në rrugën “Agron Mehmeti” në Shtrubullovë, pas kërkesës së bërë nga Komuna e Drenasit dhe shqetësimeve të vazhdueshme të banorëve të zonës.
Sipas njoftimit të ministrit Dimal Basha, Ministria ka analizuar rastin dhe ka shqyrtuar kërkesën e Komunës, e cila kishte deklaruar se nuk disponon mjete të mjaftueshme financiare dhe nuk posedon kod të veçantë për sanime emergjente.
Duke marrë parasysh rëndësinë e projektit dhe gjendjen emergjente, Ministria ka vendosur të mbështesë realizimin e projektit për ndërtimin e urës, e cila konsiderohet jetike për qarkullimin dhe lidhjen e banorëve të kësaj zone.
Po ashtu, është bërë e ditur se detajet teknike të projektit do të diskutohen në vazhdim në koordinim me Komunën e Drenasit.


