Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për dokumetat e identifikimit, me ç’rast ka kërkuar që të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse që zhbllokon të ardhmen evropiane për të dyja vendet.
Arritjen e marrëveshjes e njoftoi të shtunën pasdite, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell dhe ajo u përshëndet nga faktori ndërkombëtar.
Për herë të parë, Serbia do t’i pranojë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës, pa dokumentin shtesë që ua jepte shtetasve të Kosovës që hyjnë atje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova është e interesuar që të arrihet marrëveshje me Serbinë, e cila do të kishte në qendër njohjen reciproke. Por, derisa nuk arrihet kjo marrëveshje, e cila sipas Kurtit do të ishte ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme, Kosova do të ketë reciprocitet të plotë, i cili siç tha, do të vendoset gradualisht.
E për marrëveshjen ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka kërkuar të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që zhbllokon të ardhmen evropiane për të dyja vendet.
“Këto çështje po trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilin Shtetet e Bashkuara e mbështesin. Ne besojmë se Dialogu është një kanal dhe një mekanizëm përmes të cilit Serbia dhe Kosova arrijnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve që do të zhbllokojë të ardhmen evropiane për të dyja vendet. Përderisa Dialogu ka fokus strategjik, ai gjithashtu është dëshmuar se është një mekanizëm shumë i rëndësishëm dhe shumë fleksibël për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, thuhet në reagimin e DASH.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.
Marrëveshja mes dy vendeve këtë të dielë u raportuar nga mediat të shumta botërore si BBC, CNN, Asociated Press, Anadollu Agency, Al Jazeera, Reuters e EuroNeës.


