Në Serbi është bërë publike një letër që do të vendoset në pjesën serbe të kufirit, ku tregohet se si dokumentet e Republikës së Kosovës do të pranohen për lëvizje të lirë, por arsyetohen se kjo nuk nënkupton pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet lëvizja e tyre e lirë. Në përputhje me Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë të arritur në vitin 2011, nuk mund të pranohet si njohje e pavarësisë së njëanshme të Kosovës, dhe është pa paragjykuar statusin final të Kosovës, as nuk mund të interpretohet se Serbia heq dorë nga të drejtat e veta sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shkruhet në dokument.

Arritjen e marrëveshjes e njoftoi të shtunën pasdite, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell dhe ajo u përshëndet nga faktori ndërkombëtar.
Për herë të parë, Serbia do t’i pranojë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës, pa dokumentin shtesë që ua jepte shtetasve të Kosovës që hyjnë atje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova është e interesuar që të arrihet marrëveshje me Serbinë, e cila do të kishte në qendër njohjen reciproke. Por, derisa nuk arrihet kjo marrëveshje, e cila sipas Kurtit do të ishte ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme, Kosova do të ketë reciprocitet të plotë, i cili siç tha, do të vendoset gradualisht.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes. Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.
Dy vendimet – për targat dhe dokumentet serbe – rritën tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, që kulmuan me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës nga serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht. Barrikadat u hoqën dhe Qeveria e Kosovës u zotua për shtyrjen e zbatimit të vendimeve.
Por, pas një rundi të pasuksesshëm të dialogut, zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë shtuan përpjekjet për të bindur palët që të arrinin ujdi. Në këto përpjekje u angazhua edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.
Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.
Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.


